100 vjet komb shqiptar mbas Shpalljes së Pavarësisë

Lugina mbushet befas me jehona. Në rrugën e pafundme, e pafundme larg e më larg kalon një çetë luftëtarësh, me flamurin e kuq.

Flamuri në mes të një kolone të gjatë, si një brohoritje, si një mjegull vezulluese beteje.

Në çastin kur flamuri ndjehet kudo, çdokush merr drejtqëndrim, nderon.

Ai është dashuria e një vendi, patriotizmi, i cili ngjan me atë çfarë të jep: Dielli.

28 Nëntor 1912

Nën hijen e tij madhështore një vit i artë shënoi kufijtë e një kombi të ri. Gjithçka tjetër në zemra plot ëndrra lumturie.

Kombi
shqiptar po përfytyrohej si një qenie e gjallë dhe shqiptarët në emër
të kombit po mendonin për vazhdimin e jetës së tij në liri.

Duke
jehuar nëpër male, nëpër shtigje, rrugë, oborre, mbi tokën e avullt
prej ngrohtësisë së dashurisë, nën qiellin e qielltë ku hapej një ylber
me ngjyrat e luleve, kënga shtrihej e bukur:

…po, ne jemi Shqipëria!

Ata, që e dëgjuan këngën u trembën prej saj. Kombi: ngritur në këmbë i fortë, mbi tokën e tij.

Nata e errët, errëson fqinjët. Ata i bën të vrapojnë drejt rrugëve pa fenerë.

Viti 1913

Nje vendim i dhënë keq, një pështjellim i turbullt rëndon në zemrën e një kombi, i cili sapo kishte filluar të këndonte.

Kombi i bashkuar u nda. Kombi i madh u bë i vogël si ajo pema pa krahët e mëdhenj.

Ne të vegjël përpara kombeve të fuqishem, përpara kujtdo, që kërkonte të na robëronte. Pavarësia në Londër ishte shpërbërë.

Flamuri ynë kudo. Pa kufij.

Rrënjët dhe degët merrnin jetë nga toka. Toka: zemra dhe gjaku i kombit.

Kosova jeton me një zhurmë të përjetshme lufterash. Ajo kullon gjak.

Çamëria braktis veten prej tmerrit grek duke marrë rrugë shpëtimi të zymtë e të vrerosur.

Flakët ndriçojnë fushën njerëzore.

Një princ i huaj vjen, një mbret kërkon të ringjallë kombin e copëtuar.

29 nentor 1944
Befas një valë e re luftrash e mban flamurin në vijën e parë ku
dëshmorët e kombit bien me emrin e tij në gojë. Atdhe dhe fe bashkë.

… Në kopshtin ku po rri, vjeshta humbet në mjegullën e muzgut.

Po
meditoj bashkë me të, bashkë me 100 vjetorin historik në vitet e të
cilit asnjëherë nuk mbetëm një fragment apo një shprehje gjeografike.
Kombi për ne mbeti një koncept i
jashtëzakonshëm, i gjerë, një përgjegjësi themelore për të cilën secili
nga ne ka diçka për të dhënë si askush tjetër në botë. Asnjë pëllëmbë e
të tjerëve te ky Atdhe.

Historia shënonte kohërat, ngjarjet.

Pasaporta
kosovare u shpreh nga ikja prej genocitit serb. Asnjë milimetër tokë e
saj nuk u bë Serbi. Kombi im vuante gjakderdhjen italiane, gjermane,
diktaturë, propagandë greke për të marre jugun e tij…vjeshtë, dimër,
verë, pranverë, ankth. Mbi të gjitha sakrifica, përherë besim tek
njeriu, tek puna, tek zoti.

-Për çfare?-do të pyesë dikush.

Për të mbrojtur trojet tona, për ta mbajtur atdheun tonë në zemër me te shkuarën e sotme dhe të ardhmen.

Kjo vjeshtë me Nëntorin e lirë, me 100 vjetorin e tij, ka mbetur e gjelbër.

Kosova: shtet i lirë.

Ne: komb i lirë.

Askush nuk mundi të na mundë. Në monumentin e “Nënës Shqiperi” flamuri ynë shpalos flatrat kuq e zi.

Mbledh një tufë me lule të bukura nga kopshti im dhe ndjehem krenare për emrin e gjallë të së vertetës së kombit.

Në çdo ditë feste një flamur do ta ve në zemër…

Kjo i ngjan petales së lules, ku brenda lulëzon dashuria për progresin e kombit tim.

100 vjet të vërtetë, moshë përherë e pjekur dhe e re në një Shqipëri drejt Europës, jo vetëm ëndërr.

Përgatiti nxënësja:

 

S. Lekbello

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *